Më 3 dhe 4 nëntor do të zhvillohet në Beograd takimi i radhës mes tre vendeve që kanë firmosur për iniciativën e ‘Open Balkan’, Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Kryeministri Edi Rama nga Glasgow i Skocisë në konferencën për klimën ka udhëtuar drejt Beogradit për të qenë i pranishëm në takim. Për shkak të dorëheqjes së Zoran Zaev, në vend të tij do të shkojë zv.kryeministri i Maqedonisë së Veriut Nikolla Dimitrov.

Agjenda për këtë takim që organizohet nga Këshilli Atlantik, përfshin edhe panel diskutimi me temë “Transformimi digjital si dorë ndihmëse për integrimin rajonal”, në të cilën do të ketë përfundime dhe më pas do të mbahet konferencë për shtyp.

Pak ditë më parë pas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut, Zoran Zaev, partia e të cilit pësoi një humbje turpëruese, u dorëhoq. Ai mori përgjegjësinë për këtë humbje, por tha se LSDM do të vazhdojë të qeverisë vendin, duke nënkuptuar se angazhimi e premtimet e bëra edhe në kuadër të “Ballkanit të Hapur” do të mbeten.

Në kuadër të projektit ambicioz për të gjithë rajonin, që Ballkani më në fund të lërë prapa krahëve shekujt ndasi, ‘Open Balkan’, Kryeministri Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, më 29 korrikun e kaluar, nënshkruan një deklaratë të përbashkët, e cila bazohet në 4 liritë e mëdha të bashkëpunimit në botën perëndimore: liria lëvizjes së mallrave, kapitalit, njerëzve dhe shërbimeve.

Nisma për bashkëpunim rajonal u përkrahën edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, BE dhe Gjermania e cila doli në një deklaratë ku kërkoi me urgjencë që të nënshkruhet marrëveshja për Tregun e Përbashkët Rajonal para Samitit BE-Ballkan në 6 tetor.

Megjithatë kësaj nisme s’po i bashkohet Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina. Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, mendon se iniciativa e “mini-Shengenit” është nismë pa vizion për rajonin.