Nga sot flini një orë më shumë, pasi nis përllogaritja e orës dimërore. Në orën 3:00 pas mesnatës së 24 tetorit, akrepat e orës u kthyen në orën 2:00.

Ndryshimi i orës bëhet dy herë në vit në javën e fundit të tetorit dhe në të dielën e fundit të marsit me qëllim shfrytëzimin sa më mirë të energjisë diellore. Ndryshimi i orës më parë në Europë ka qenë jo i njëtrajtshëm, por ajo filloi të përgjithësohej nga viti 1974, pas krizës së parë të naftës kur disa vende vendosën të çojnë përpara orën në mënyrë që të shfrytëzonin më shumë dritën e diellit dhe të konsumonin më pak energji elektrike. Ndryshimi i orës në Europë u vendos si ligj europian nga viti 1981 dhe është rinovuar çdo katër vjet. Norma europiane vendos në mënyrë të qëndrueshme datat e fillimit të periudhës së orës së verës (kur ora shkon një orë përpara) dhe përfundimin e saj (kur ora shkon një orë pas ); që tani respektivisht janë e diela e fundit e marsit dhe e diela e fundit e tetorit.