
Këshilli i Rregullores dhe Mandateve mblidhet sot lidhur me kërkesën e prokurorisë për arrestimin e deputetit socialist, ish Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Pas një seancë maratonë, dje Këshilli i Rregullores dhe Mandateve nuk arriti të marrë një vendim duke e shtyrë për ditën e sotme ora 10:00. Në mbledhjen e djeshme prokuroria paraqiti, në një seancë me dyer të mbyllura, prova shtesë që sipas saj ishin në favor të kërkesës për arrestimin e zotit Tahiri.
Ndërkohë gjatë mbledhjes ajo ndryshoi versionin për udhëtimet e zotit Tahiri me automjetin që më parë ja kishte shitur njërit prej vëllezërve Habilaj. Avokati mbrojtës i ish-ministrit kërkoi tre ditë kohë për të përpiluar materialin e mbrojtjes pas njohjes me faktet e reja të organit të akuzës gjatë seancës me dyer të mbyllura zhvilluar pasditen e djeshme. Por drejtuesi i Këshillit të Mandateve, Gramoz Ruçi la si afat të shtunën paradite në orën 10:00.






