Pas 24 orëve heshtjeje zgjedhore, e cila vetëm që e tillë nuk rezultoi për shkak se forcat politike të opozitës dhe Presidenti e shkelën atë në mënyrë flagrante, 5199 qendra votimi hapen sot dyert për 3 milionë e 588 mijë e 869 shqiptarë të cilët do të zgjedhin 140 parlamentarët e rinj. Nga ora 7:00 deri në 19:00 kutitë e votimit do të jenë të hapura për të gjithë ata që do të duan të zgjidhin ligjvënësit e katër viteve që vijnë.

Partia Socialiste kërkon një mandat të tretë, ndërsa opozita, e përbërë nga Partia Demokratike dhe aleatët e saj, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe disa parti të tjera të vogla, kërkojnë të marrin drejtimin e vendit për 4 vitet e ardhshme

107 mijë e 024 do të jenë të rinjtë që votojnë për herë të parë ndërkohë që 1,098 persona nuk mund të votojnë për shkak të ligjit të dekriminalizimit.Për herë të parë futen në garë në një palë zgjedhje të përgjithshme, disa forca të reja politike si Nisma Thurje, Lëvizja për Ndryshim e Jozefina Topallit dhe Bindja Demokratike e Astrit Patozit, Lëvizja Demokratike Shqiptare e Myslim Murrizit apo edhe 3 kandidatët e pavarur që mbështeten nga Lëvizja Vetëvendosje.

Për herë të parë pas zgjedhjeve të vitit 2005, shqiptarët do të mund të votojnë përveç partisë dhe kandidatin që preferojnë, në një fletë votimi të vetme ku vendoset shenja te partia por edhe të numri i kandidatit përkatës. Për herë të parë në këto zgjedhje aplikohet teknologjia në zgjedhje, përmes identifikimit biometrik.

Ndërkohë që, përmes një projekti pilot, në KZAZ Nr. 40, e cila përkon me Njësinë Administrative Nr. 10 në Tiranë, do të bëhet votim dhe numërim elektronik. Votuesit do të votojë në pajisjen elektronike si për subjektin politik, ashtu edhe për kandidatin preferencial