
SPAK dërgon për gjykim tre persona për korrupsion në zgjedhjet e Qarkut Lezhë
Tiranë, 7 nëntor 2025 – Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme çështjen penale nr. 55 të vitit 2025, që lidhet me korrupsionin zgjedhor në Qarkun e Lezhës.
Të pandehurit e dërguar për gjykim janë:
• Gersi Kaçorri, i akuzuar për veprën penale “Korrupsion aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 328 dhe 25 të Kodit Penal;
• Besnik Uka, i akuzuar për veprën penale “Korrupsion pasiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 328/b dhe 25 të Kodit Penal;
• Artur Jahja, i akuzuar për veprën penale “Korrupsion pasiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 328/b dhe 25 të Kodit Penal.
Rrethanat e çështjes
Sipas njoftimit të SPAK, procedimi penal është regjistruar mbi bazën e materialeve të referuara nga Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), në ngarkim të të pandehurve të sipërpërmendur. Ata dyshohen se kanë kryer veprat penale “Korrupsion aktiv në zgjedhje” dhe “Korrupsion pasiv në zgjedhje”, të kryera në bashkëpunim gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të datës 11 maj 2025.
Hetimet janë zhvilluar me metoda speciale, përfshirë përgjime telefonike dhe vëzhgime në terren. Sipas SPAK, provat treguan se të pandehurit Kaçorri, Uka dhe Jahja janë përfshirë në veprimtari të kundërligjshme gjatë fushatës në Qarkun e Lezhës.
Në kuadër të këtyre veprimeve, ata dyshohet se kanë premtuar, ofruar dhe shpërndarë shuma monetare zgjedhësve të Bashkisë Kurbin, në këmbim të votës së tyre në mbështetje të subjektit politik Partia Socialiste.
SPAK bën të ditur se hetimi ka evidentuar përfshirjen aktive të të pandehurve në fushatën elektorale, me qëllim ndikimin e votuesve në mënyrën e votimit të tyre.






