
Prokuroria e Posaçme, në bashkëpunim me autoritetet ligjzbatuese finlandeze, ka zhvilluar një operacion të përbashkët kundër disa grupeve kriminale të përfshira në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Operacioni është rezultat i një hetimi të gjatë dhe të koordinuar ndërmjet autoriteteve shqiptare dhe atyre finlandeze, që synon goditjen e rrjeteve kriminale që veprojnë në disa vende të Europës dhe që kanë lidhje me Shqipërinë.
Lajmi u konfirmua nga kreu i SPAK, Altin Dumani, i cili deklaroi se operacioni është rezultat i një hetimi të thelluar dhe bashkëpunimi të ngushtë me autoritetet finlandeze.
Arrestimet u kryen pas letër-porosive të mbërritura nga Finlanda, ndërsa hetimet kanë zbuluar aktivitetin e grupeve në trafikun e kokainës, heroinës dhe marihuanës.
Në një deklaratë për mediat, Dumani theksoi se ky hetim shënon një moment të veçantë për institucionin që ai drejton.
Ai sqaroi se krimi i organizuar shqiptar ka zgjeruar aktivitetin e tij edhe në vendet nordike, përfshirë Finlandën, dhe se bashkëpunimi mes dy autoriteteve ka çuar në goditjen e disa grupeve kriminale përgjegjëse për trafikun dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike.
“Kam nderin dhe kënaqësinë që sot të bëjmë publike rezultatet e një hetimi të përbashkët mes SPAK dhe autoriteteve finlandeze. Krimi shqiptar ka shtrirë aktivitetin e tij edhe në vendet nordike, përfshirë Finlandën.
Ky hetim është tregues i qartë i vlerësimit që autoritetet ligj zbatues nordike kanë dhënë strukturave tona të drejtësisë. Kjo na ka mundësuar goditjen disa grupeve kriminale, përgjegjës për trafikimin e disa drogërave. Kemi goditur disa grupe të rëndësishme të trafikut të drogës, që shpërndanin kokainë, heroinë, marijuanë etj.
Hetimi është rezultat i një hetimi të gjatë dhe një bashkëpunimi tepër të mirë me autoritetet finlandeze. Dua të falënderoj Policinë e Shtetit dhe çdo prokuror të posaçëm për punën e shkëlqyer që ka bërë. Ky hetim është rezultat i një hetimi të gjatë”, tha Dumani.