Gjykata e Posaçme merr në dorë çështjen e ish-ministrit e Mbrojtjes, Fatmir Mediur, sa i takon shpërthimit në Gërdec në vitin 2008.

Lajmi është marrë nga BalkanWeb nga gazetarja Klodiana Lala. Ishte SPAK që kërkoi rigjykim të çështjes, ndërsa Gjykata e Lartë ia kaloi GJKKO.

SHPËRTHIMI NË GËRDEC
Konkretisht, në datën 15.03.2008, në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, në fshatin Gërdec, në Tiranë, ku ushtronte aktivitetin e ç’militarizimit dhe ç’montimit të municioneve luftarake shoqëria “Albademil” sh.p.k., ndodhën një seri shpërthimesh masive që sollën pasoja të rënda. Si rezultat i kësaj ngjarje u shkaktua vdekja e 26 personave, plagosja e rëndë e 27 personave, plagosja e lehtë e 109 personave, dëmtime të parëndësishme për 67 persona, si dhe dëmtime të tjera të paklasifikuara të 61 personave që janë trajtuar në spitale e qëndra shëndetësore. Po kështu, kjo ngjarje solli pasoja dhe dëmtime të pasurive të ndryshme në total në vlerën 2.243.843.616 lekë, duke përfshirë pasuri të shtetasve dhe pasuri shtetërore e publike.

Lidhur me këtë ngjarje Prokuroria e Përgjithshme rregjistroi procedimin penal nr.3 viti 2008 dhe ushtroi ndjekjen penale ndaj shtetasit Fatmir Mediu në cilësinë e ish-Ministrit të Mbrojtjes, si dhe ndaj shumë personave të tjerë. Në përfundim të hetimeve paraprake, në datën 13.03.2009, Prokuroria e Përgjithshme paraqiti në Gjykatën e Lartë kërkesë për gjykimin e çështjes penale nr.3 viti 2008. Në këtë hetim shtetasi Fatmir Mediu u akuzua për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal, si dhe për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues, parashikuar në nenet 70/2 e 2 të Kodit Penal Ushtarak dhe neni 25 i Kodit Penal.