Dy vite burg ka kërkuar SPAK për ish-kryeprokurorin e Shqipërisë Adriatik Lllalla. Ish kryeprokurori përfiton nga gjykimi i shkurtuar, ndaj dhe për këtë arsye i zbritet 1/3 e dënimit, duke i mbetur 1.4 vite burg dhe 5 vite përjashtim nga Shërbimi Publik, ky i fundit si dënim plotësues. Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla akuzohet për deklarim të rremë të pasurisë. Në seancën e sotme, ai nuk ka qenë i pranishëm, por është përfaqësuar nga avokati i tij, Sokol Hazizaj.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 2 prill, ku avokati i ish-kryeprokurorit do të paraqesë mbrojtjen e tij. Më përpara në nëntor të vitit të kaluar, pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), gjykata vendosi sekuestro ndaj pasurive të ish-Prokurorit Llalla.

Mbi bazën e hetimeve të kryera, SPAK paraqiti në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, kërkesën për sekuestrimin e pasurive në zotërim të shtetasit Adriatik Llalla. Kërkesa e SPAK ishte për 5 pasuri të paluajtshme, mes tyre një apartament dhe 5 sipërfaqe toke arë, prej mijëra metrash katrorë.

Në argumentimin e SPAK u tha se sekuestrimi është masë parandaluese autonome nga procesi penal që është duke u zhvilluar ndaj këtij shtetasi. Ish kryeprokurori dyshohet të mos ketë deklaruar një shumë prej 7400 dollarë të shpenzuara në SHBA, një shumë për ndërtimin e një banese, si edhe shpenzime të kryera në Gjermani. Hetimi ndaj Llallës nisi në 15 mars 2018 në Prokurorinë e Durrësit, por më pas u kalua për kompetencë tek ish-Krimet e Rënda.

Ai u dyshua për katër vepra penale, mes të cilave edhe “pastrim i parave” dhe “shpërdorim i detyrës”, por në përfundim të hetimit SPAK vlerësoi se ndaj tij provohej vetëm akuza e “mosdeklarimit të pasurisë”. Pasi përfundoi mandatin e kryeprokurorit, Llalla dha dorëheqjen nga sistemi dhe nuk iu nënshtrua vetingut.

Një investigim i mëparshëm, BIRN tregoi se si Llalla transformoi një investim fillestar prej 16.3 milionë lekësh në prona me vlerë mbi 1 milionë euro përmes transaksioneve me një person të dënuar për vrasje, një biznesmen-fitues tenderi në Prokurori dhe një instruktor hipizmi i përdorur si sekser tokash.

Në shkurt 2018, ish-Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson shpalli vendimin për ta vendosur Adriatik Llallën në listën e zyrtarëve të padëshiruar, që i ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, së bashku me familjen. Adriatik Llalla u zgjodh Prokuror i Përgjithshëm në vitin 2012 dhe e mbajti këtë post deri në nëntor 2017, kur i mbaroi mandati 5-vjeçar dhe u zëvendësua nga Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku.

Artikulli paraprakVELIPOJË, KANDIDATI I PD SPAHIA: TË BASHKUAR MARRIM FITOREN
Artikulli tjetërPRESIDENTI META DEKRETON EMËRIMIN E KATËR GJYQTARËVE TË RINJ TË GJYKATËS SË LARTË