Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani dhe prokurorja e posaçme, Dorina Bejko, morën pjesë më 2–3 dhjetor në takimin e nivelit të lartë të prokurorëve nga katër vende të Ballkanit Perëndimor dhe 11 vende të Amerikës Latine, i zhvilluar në selinë e EUROJUST-it në Hagë. Gjatë fjalës së tij, Dumani theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të frytshëm me agjencitë partnere dhe shkëmbimin e shpejtë të informacionit:

“SPAK ka kaluar nga një agjenci që kryesisht merrte informacion, në një institucion që furnizon partnerët ndërkombëtarë me të dhëna të verifikuara dhe operacionale, duke u shndërruar në një kontribues të vërtetë të sigurisë.”

Në kuadër të këtij takimi, Dumani zhvilloi takime bilaterale me homologët e Paraguajit, Perusë, Kilit, Brazilit, Kolumbisë, Republikës Domenikane dhe Ekuadorit. Gjithashtu, SPAK nënshkroi pesë memorandume mirëkuptimi me prokuroritë e Brazilit, Kilit, Kolumbisë, Republikës Domenikane dhe Paraguajit. Qëllimi i këtyre marrëveshjeve dhe takimeve bilaterale është forcimi i bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar, veçanërisht trafikut të lëndëve narkotike. Këto aktivitete u zhvilluan brenda kuadrit të një eventi më të gjerë tre ditor, më i madhi i organizuar ndonjëherë nga EUROJUST, me partnerët e vendeve të treta, ku morën pjesë, veç vendeve të Bashkimit Europian, Ballkanit Perëndimor dhe Amerikës Latine edhe ato të Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut. Fokus i këtij eventi ishte forcimi i bashkëpunimit operacional mes këtyre rajoneve dhe Bashkimit Europian.

Artikulli paraprak“SEANCAT PO SHTYHEN PËR SHKAK TË MBROJTJES”, SPAK SQARIM MBI ÇËSHTJEN VELIAJ
Artikulli tjetërDANIMARKA DO TË HAPË AMBASADË NË SHQIPËRI NË VITIN 2026