Për herë të parë SPAK ka vënë nën hetim një deputet të Parlamentit të Shqipërisë. Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion SPAK ka regjistruar padinë e Partisë Demokratike për deputetin Ervin Bushati që është edhe një nga drejtuesit e fushatës të socialistëve. Deputeti Bushati mësohet të jetë vënë nën hetim për dy vepra penale në lidhje me mosdeklarimin e pasurisë. PD kërkoi transparencë një javë më parë përmes një letre nga Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi, nëse SPAK ka regjistruar procedimin penal deputetit të PS, Ervin Bushati.

Ai është paditur nga PD për fshehje të pasurisë, mosdeklarim të pasurisë dhe falsifikim të dokumenteve. Në përgjigje të kësaj kërkese, SPAK ka njoftuar Partinë Demokratike se në datën 12.03.2020, ka regjistruar procedimin penal për veprat penale fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë dhe falsifikim të dokumenteve. Procedimi penal është në fazën e hetimit dhe po ndiqet prej 8 muajsh nga prokurorja e SPAK Doloreza Musabelliu. PD e ka depozituar kallëzimin që në tetor 2018 dhe çështja u kalua nga Prokuroria e Tiranës tek SPAK, pas krijimit të kësaj prokurorie.

Bëhet fjalë për mosdekalrimin e 7 pasurive të paluajtshme në emër të Ervin Bushatit, përfshirë më shumë se 3100 metra2 truall në Tiranë, Qerret dhe Sarandë. Ndërkohë Partia Demokratike ka dërguar në SPAK edhe një sërë çështjesh të tjera për afera të ndryshme korruptive ku ka dyshime të forta se ministra apo pjestarë të tjerë të qeverisë janë të lidhur ngushtësisht me veprimtari kriminale ndërsa pret që të nisin hetimet. Madje PD ka hedhur akuza edhe ndaj SPAK dhe drejtuesve të saj se po vonojnë hetimet e dosjeve të ndryshme që demokratët kanë depozituar.