Kryetari i partisë Demokratike, Sali Berisha, do të jetë përsëri nesër “mysafir” në Prokurorinë e Posaçme. Në një postim në rrjetin social facebook, avokati Genc Gjokutaj ka publikuar shkresën e SPAK drejtuar Berishës, ku njoftohet se thirrja e tij lidhet me hetimet paraprake të procedimit penal nr.193, të vitit 2024 të kryer nga SPAK. Sipas shkresës së firmosur edhe nga prokurori i çështjes, Elvin Gokaj, ai do thirret për t’u përgjigjur pyetjeve bazuar në kallëzimin që është depozituar nga gjyqtarja e GJKKO-së, Irena Gjoka, për akuzën e shpifjes. Berisha do të shkojë në orën 10:00 të mëngjesit dhe ka konfirmuar prezencën e tij, ndërsa refuzimi apo mosparaqitja e përball me penalitete të tjera sipas Kodit Penal.

Çështja e kallëzimit për shpifje është regjistruar prej vitit të kaluar, me numër 139 e regjistruar nga SPAK, ku Berisha do pyetet në cilësinë e personit që ka dijeni, për çështjen që është nën hetim paraprak. Ish-kryetarja e GJKKO, Irena Gjoka, njëherazi edhe gjyqtarja që caktoi masat e sigurisë “arrest në shtëpi” për ish-kryeministrin Sali Berisha dhe “arrest në burg” për dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, ka kërkuar në tetorin e kaluar (2024) nga SPAK, që të hetojnë deklaratat e Argita Berishës e cila e akuzon gjyqtaren se është filmuar duke i kërkuar 500 mijë euro një ish-eksponenti të PS.

Gjatë një konference për shtyp të zhvilluar në datën 23 shtator 2024, Argita Malltezi deklaroi se të paktën 17 prokurorë dhe gjykatës të strukturës së posaçme janë në dosjen e “Encrochat”. E madje, sipas Argitës “gjyqtarja Gjoka del në një video, duke i kërkuar një ish-eksponenti të PS 500 mijë euro, që të mos e fuste në grup të strukturuar kriminal”. Kreu i PD-së akuzohet nga SPAK edhe për aferën në dosjen “Partizani”, e cila pas 7 muajsh zvarritjesh proceduriale në GJKKO, kaloi së fundmi për proces gjykimi, ku Berisha është i pandehur bashkë me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi dhe 3 persona të tjerë.

Aktualisht ai ndodhet nën masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje” dhe akuzohet për korrupsion pasiv. Berisha qëndroi për më shumë se një vit nën masën “arrest shtëpie”.

Artikulli paraprakBEGAJ PRET NË PRESIDENCË KRYEPARLAMENTAREN E BULLGARISË
Artikulli tjetërVETËPLAGOSET AKSIDENTALISHT ME ARMË GJAHU, 57 VJEÇARI NË POSTRIBË