Parlament – Braho: Kryebashkiakët lobuan ligjin për Prefektin, për t’ju shmangur kontrollit.Me 1997 urdheruan shperndarjen e armeve

 

Kreu i komisionit të Sigurisë Kombëtare, Spartak Braho tha nga salla e Parlamentit se projektligji i ri për riorganizimin e institucionit të Prefektit, nuk është i plotë dhe se ka ardhur për shkak të lobimit dhe presionit të kryetarëve të bashkive. Sipas tij, kjo ka ardhur për shkak të tendencave për t’ku shmangur kontrollit të pushtetit vendor. Braho: Projekti i ri i ligjit që kemi për shqyrtim e për miratim sot është përpjekja e tretë për ta riorganizuar institucionin e Prefektit. Por a ka patur qeveria në synimin e saj gjatë hartimit të këtij projekti që të sillte një ligj më të plotë, dhe ai të jete pjesë e reformës për riorganizimin e strukturave të shtetit, të organeve të pushtetit vendor etj? Më duket se ky kujdes nuk ka qenë në nivelin e duhur. Në projekt janë bërë përpjekje serioze nga hartuesit e tij për aq hapësira, orientim dhe vizion që u kanë dhënë drejtuesit kryesorë të shtetit. Por vlerësoj se lobimi dhe presioni i Kryetarëve të Bashkive dhe strukturave të tjera në hartimin e ligjit ka qenë më i fortë sesa kërkesat bashkëkohore dhe sugjerimet ardhur nga subjektet e tjera të interesuara siç ishin Prefektët, të cilat kanë lënë gjurmë në nuancat ambigue e formulime të cilat Kryeministri dhe Ministri përgjegjës duhet t’i ndjekin me vëmendje si tendenca për t’ju shmangur kontrollit dhe markimit të përditshëm të punëve të menaxherëve të pushtetit vendor dhe organeve të tjera shtetërore. Në këtë kuptim duke shprehur opinionin tim, unë them se përsëri ende në këtë ligj ne nuk kemi një Prefekt të fortë të qarkut të veshur me mantelin e deleguar të Kryeministrit, të ngarkuar jo vetëm me kompetenca kontrolluese, por edhe të modeluar në atë mënyrë që ato të zbatohen që të parandalojnë, ndreqin e godasin shkeljet ligjore e paudhësitë e drejtuesve të pushtetit lokal të vetëqeverisjes. Edhe në këtë projekt mua nuk më figuron që Prefekti do të jetë autoriteti më i lartë shtetëror që kontrollon, legjitimon e noterizon gjithçka, por në veçanti çështjet e rendit dhe qetësisë publike, të sovranitetit shtetëror, kontrollin e territorit, mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit të popullatës, emergjencat civile, funksionimin e administratës shtetërore dhe emërimin e zyrtarëve shtetërorë lokalë, veprimtarinë e organeve ligjzbatuese, luftën kundër fenomeneve kriminale dhe problematikave të zhvillimeve social-ekonomike. Të gjitha këto, në zbatim të programit ekonomik dhe politik të qeverisë qendrore në nivel qarku.