Kryqi i Kuq Shqiptar ka ngritur shqetësimin për rënien e dhuruesve vullnetarë të gjakut. Ka qenë Sekretari i përgjithshëm, Artur Katusi, ai i cili është shprehur se kjo mungesë e dhuruesve vullnetarë të gjakut ka ardhur pas pandemisë dhe po vijon ende.

“Për fat të keq gjatë vitit të pandemisë pati një rënie sepse edhe grumbullimet masive ishin të ndaluara. Aktualisht ka një sensibilizim, por duhet të ketë më shumë”, thotë Katuci. Nevojat për gjak janë të mëdha dhe sipas Katucit gjatë një viti nevojiten rreth 40 mijë njësi.

“Në Shqipëri nevojat për gjak janë të mëdha, është sëmundja e talasemisë, por edhe operacionet dhe sëmundje të tjera që kanë nevojë për gjak. Nevojat shkojnë te rreth 40 mijë njësi”, shtoi ai.