Asnjë marrëveshje nuk do të firmoset nga bashkia Shkodër me Federatën Shqiptare të Futbollit përpara se të kryhen totalisht punimet në stadiumin “Loro Boriçi”

dhe derisa të merret në dorëzim krejtësisht impianti bashkë me të gjithë dokumentacionin përkatës. Kryetarja e bashkisë Shkodër Voltana Ademi e pyetur për propozimin nga FSHF që e ka në tavolinë edhe zyrtarisht të dorëzuar për menaxhimin e stadiumit të Shkodrës u shpreh se nuk mund të ketë asgjë tjetër përpara se të përfundojnë punimet krejtësisht dhe stadiumi të merret në dorëzim. Para pak ditësh FSHF ka zhvilluar një takim me kryebashkiaken Ademi duke i dorëzuar kësaj të fundit një propozim për administrimin e stadiumit “Loro Boriçi” nga FSHF. Në atë marrëveshje FSHF propozon që për ndeshjet e Vllaznisë bashkia të marrë 40% nga të ardhurat e biletave dhe pjesën tjetër federate dhe po ashtu edhe për ndeshjet ndërkombëtare të kuqebluve. Për ndeshjet e ekipeve kombëtare propozohet që të gjitha të ardhurat t’i shkojnë FSHF-së. Pavarësisht tentativës ky propozim duket se nuk do të preket derisa të kryejnë punimet në stadium.