Frederik Rreshpja – I lindun më 1941, a 1940, âsht nji legjendë për së gjalli. Njohësit seriozë të poezisë ia nisin kuvendit të entuziazmuem sapo përmendet emni i Fred Rreshpes. Në jetën publike dhe në skenën letrare të Shqipnisë, ai nuk âsht i pranishëm. Përmbledhjet e poezisë së tij nuk gjenden mâ në shitje. 

 

 

Kritika letrare në Shqipní, me sa ekziston, nuk e merr mâ në dijeni 
poetin Reshpja.

Nga “Leksikoni i shkrimtarëve shqiptarë 1501 – 2001” i Hasan Hasanit (Prishtinë, 2003) e mësojmë vendin e shkollimit dhe të studimeve si dhe vjetët e botimit të librave të tij, kurse nuk mësojmë me asnji fjalë qi Frederik Rreshpja ka kenë burgaxhi politik për 17 vjet, mu në moshën mâ produktive të çdo shkrimtari, mes moshës 30-vjeçe dhe 50-vjeçe, gjâ qi e mësojmë vetëm nga “Historia e Letërsisë Shqiptare” e Robert Elsie-t (Tiranë – Pejë, 2003)…

…Poezitë e Frederik Reshpes s’përmbajnë barra të panevojshme, fjalë të gzhollta. Çdo element teksti âsht me funksion. Tekstet, megjithatê, nuk të duken të turnueme dhe të mpira, por janë plot ngrohtësi dhe jetë.

Sa e paqetë dhe e trazueme të jetë jeta e Frederik Reshpës për së jashtmi, aq i përshkon poezitë e tij nji frymë e qetë dhe e rregulltë, ku rregullsia dhe qetësia e vjershave të tij aspak nuk të bâhen sikur kapak artificial mbi nji vulkan vlues.

Reshpja s’âsht poet i gazëllimit himnik, pa lëre ekzaltimin kombëtar. 
Temat e tij janë humbja, dhimbja, vetmia, qi i derdh në vargje të nji individualiteti dhe bukurie prekëse. Larg gjithë toposëve avazesh albanocentrike, poezia e Frederik Rreshpes âsht letërsi e dorës së pare te kalibrit europian .

 

Nga Hans Joachim Lanksch

Artikulli paraprakVLLAZNIA, SHTUBINA I BINDUR PËR FITORE ME APOLONINË
Artikulli tjetërSHULLANI: JANË SHUMË MË SHUMË SE 25 FAMILJË NË GJAK