
Bregdeti i Shëngjinit nuk eshte vetëm një destinacion për pushuesit, por edhe një hapësirë për librin dhe letërsinë. Shkrimtarë, poetë, botues dhe lexues u mblodhën në edicionin e dytë të panairit të librit, një aktivitet që synon ta afrojë kulturën me publikun edhe jashtë hapësirave tradicionale. Nën temën “Letërsia përtej kufinjve”, aktiviteti solli në fokus krijimtarinë e autorëve shqiptarë që jetojnë dhe shkruajnë jashtë vendit. Kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, e cilësoi aktivitetin si një mënyrë për t’i ofruar pushuesve një tjetër përvojë gjatë qëndrimit në Shëngjin. Sipas tij, prezantimi i letërsisë pranë bregdetit i jep vizitorëve mundësinë të njohin edhe një tjetër dimension të qytetit.
Preç Zogaj dhe botuesi Frano Kulli nënvizuan rëndësinë e debatit mbi të ardhmen e librit dhe mënyrën se si letërsia mund të ruajë hapësirën e saj në një kohë kur leximi tradicional po përballet me forma të reja komunikimi.
Panairi i dytë i librit në Shëngjin u organizua nga Bashkia Lezhë në bashkëpunim me Klubin e Letrave “Ndoc Gjeta”, duke sjellë letërsinë më pranë publikut dhe duke i dhënë sezonit turistik një tjetër dimension, atë të kulturës dhe artit.






