
Muaji tetor në Lezhë është pagëzuar këtë vit si “Tetori Fishtjan”, në nder të 154-vjetorit të lindjes së At Gjergj Fishtës, një prej figurave më të rëndësishme të letërsisë dhe kulturës shqiptare.Në kuadër të këtij përvjetori, është parashikuar një kalendar i pasur veprimtarish letrare, kulturore dhe artistike, të cilat kanë nisur me ekspozitën letrare e vizuale të hapur në Galerinë e Arteve në Lezhë, ku paraqiten vargje, thënie dhe fragmente nga poezitë, prozat dhe satirat e Fishtës, duke sjellë më afër publikun me trashëgiminë e tij letrare.
Gazetari dhe shkrimtari shqiptaro-amerikan Zef Pergega, e cilëson këtë nismë si një mënyrë domethënëse për të mbajtur gjallë emrin dhe veprën e Fishtës, që vlerësohet jo vetëm në Shqipëri, por edhe në diasporë.
Pjesë e “Tetorit Fishtjan” do të jetë edhe konkursi mbarëkombëtar “Çmimet At Gjergj Fishta”, ku rreth 60 autorë nga e gjithë Shqipëria do të konkurrojnë me vepra të ndryshme letrare.


