
Stina e nxehtë e gjen fshatin Golem të Njësisë Administrative Rrethina pa ujë të pijshëm.
Rreth 4000 banorë preken nga mungesa totale e ujit, situatë e cila ka nisur 4 vite më parë, por që muajt e fundit banorët po përballen me vështirësi të shtuara. Kjo pasi edhe puset e tyre kanë mungesë të ujit. Ato pak familje që aktualisht furnizohen nga puset e hapura në oborret e tyre thonë se pasi kanë bërë analizat laboratorike, uji ka rezultuar i papërshtatshëm për përdorim familjar, kjo pasi niveli i ndotjes rezulton i lartë.
Ndërkohë, qindra familje të tjera detyrohen që të sigurojnë ujë të pijshëm nga fqinjët e tyre. Problemi i ujësjellësit në fshatin Golem dhe përgjithësisht në të gjithë Njësinë Administrative Rrethina është një fenomen i mbartur që nisi 4 vite më parë. Në atë kohë filloi ndërprerja e ujit në disa zona të fshatit, ndërsa muajt e fundit, edhe për shkak të thatësirës, vetëm pak familje kanë linjë ujësjellësi.






