Strehim i grave të dhunuara, ndryshimet në ligj edhe për urdhrat e mbrojtjes

Strehim i grave të dhunuara, ndryshimet në ligj edhe për urdhrat e mbrojtjes “Legjislacioni ka nevojë të përmirësohet në disa pika. E para është për të përmirësuar mënyrën e gjykimit. Mund të flasim për sistem gjyqësor të korruptuar, sistem gjyqësor që nuk zbaton detyrimet e tij, por është e pafalshme që në Tiranë në katër vitet e fundit janë referuar vetëm 4 raste. Mund të jenë marrë masa për gratë, por për burrat që kanë ushtruar dhunë janë vetëm 4 raste”, tha Blendi Klosi, ministër i Mirëqenies Sociale. Burime për Top Channel bëjnë me dije se Ministria e Mirëqenies Sociale ka bërë propozime konkrete për ndryshimet që lidhen jo vetëm me shtrëngimin e masave ndëshkuese, por edhe me ofrimin e lehtësirave për viktimat. Për herë të parë, gratë e dhunuara me urdhër mbrojtje nuk do të jetojnë më me dhunuesit, siç ndodh edhe aktualisht. Për viktimat e dhunës në pamundësi ekonomike do të ofrohet strehim i sigurt larg dhunës. “Viktimat e dhunës në familje vazhdojnë të bashkëjetojnë me dhunuesit në të njëjtën familje. Prandaj, kërkoj me forcë që së bashku me pushtetin vendor të ndërtojmë një strategji më të qartë për mbështetjen sociale të këtyre personave. Ka nevojë të forcohet mekanizimi i mbrojtjes, ka nevojë të përmirësohet mekanizimi i ndihmës sociale”, tha ministri Klosi. Sa i takon propozimeve të tjera, kërkohet ndryshim në: Dispozitat që përmirësojnë procedurat e gjykimit; në dispozitat që përmirësojnë ekzekutimin e vendimeve gjyqësore për lëshimin e urdhrave të mbrojtjes’; në dispozitat që përmirësojnë mbrojtjen e viktimave dhe shërbimet sociale; shërbimet e policisë; shërbimet për mbështetjen dhe rehabilitimin e viktimës dhe e drejta për kompensimin e viktimave të dhunës.

Artikulli paraprakLEHTËSI PËR INDUSTRINË E LEHTË, MBETJET DHE PESHKIMIN
Artikulli tjetërPEDAGOGIA THYEN HESHTJEN PAS VDEKJES SË DJALIT, LUTJA E SAJ PËR ÇDO NËNË