
Rritja e vendeve të punës me aftësi të larta në Shqipëri ka qenë më e ngadaltë dhe më e dobët se në Rajon nga 2002-2023 referon një studim i Bankës Botërore për Rajonin e Europës Juglindore dhe Azisë (ECA).
Për Shqipërinë, të dhënat tregojnë për një zhvendosje të dukshme nga punët manuale drejt punëve që kërkojnë aftësi më të ulëta në sektorin e shërbimeve, pa pasur rritje domethënëse të profesioneve të kualifikuara. Punët me aftësi elementare janë zgjeruar me 15% ndërsa ato më aftësi që kërkojnë arsim të lartë vetëm 5 % në dy dekada.
Grafiku i mëposhtëm tregon Shqipëria ka pësuar rënien më të madhe të vendeve të punës manuale rutinë, pra, të punëve fizike tradicionale që nuk kërkojnë shumë kualifikim, si në bujqësi apo industri të lehta. Këto zhvillime përkojnë me tranzicionin e ekonomisë shqiptare nga bujqësia drejt shërbimeve pas viteve 2000.
Në të njëjtën kohë, është vërejtur rritje e vendeve të punës në profesione me aftësi të ulëta, që kupton shtim të punëve në tregti, pastrim, kujdes personal apo transport, pra në sektorë me produktivitet të ulët dhe paga të ulëta.
Nga ana tjetër, vendet e punës për profesionistë apo menaxherë kanë pasur një rritje shumë të vogël, çka tregon se ekonomia shqiptare nuk ka arritur të krijojë në masë vende pune të kualifikuara, edhe pse është zhvendosur nga bujqësia. Për kategorinë e “teknikëve” dhe punëve rutinë ” (si administratë apo punë zyre), rritja është e kufizuar jo më shumë se 5% përgjatë 2002-2023.






