“Ndikimi dëmtues i njerëzimit në klimë është tasnmë një fakt”, thonë shkencëtarët e OKB -së në një studim historik. Raporti thekson se emetimet e vazhdueshme të gazrave mund të shkaktojnë një rritje të temperaturave të cilat mund të jenë të pakthyeshme.

“Nëse nuk ka reduktime të menjëhershme, të shpejta dhe në shkallë të gjerë në emetimet e gazrave serrë, kufizimi i ngrohjes globale në 1.5 ° C nuk do të jetë i arritshëm,” u tha gazetarëve shkencëtarja Valérie Masson-Delmotte.

Raporti paralajmëron se po mbaron koha për të shpëtuar planetin. Autorët tregojnë se një rritje e niveleve të detit gati 2 m deri në fund të këtij shekulli “nuk mund të përjashtohet”. Por ka një shpresë që shkurtimet e emetimeve të gazrave serë mund të stabilizojnë rritjen e temperaturave.

Ky vlerësim i matur nga Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPCC) paraqitet në një dokument 42-faqësh të njohur si Përmbledhje për Politikëbërësit.

Ai drejton një seri raportesh që do të publikohen gjatë muajve të ardhshëm dhe është rishikimi i parë i madh i shkencës së ndryshimeve klimatike që nga viti 2013. “Raporti i sotëm i Grupit Punues 1 të IPCC është një kod i kuq për njerëzimin,” tha Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.

“Nëse i kombinojmë forcat tani, mund të shmangim katastrofën klimatike. Por, siç e bën të qartë raporti i sotëm, nuk ka kohë për vonesë dhe nuk ka vend për justifikime. Unë mbështetem tek drejtuesit e qeverisë dhe të gjithë aktorët për të siguruar që COP26 është i suksesshëm.”

Me tone të forta, të sigurta, dokumenti i IPCC thotë “është e qartë se ndikimi njerëzor ka ngrohur atmosferën, oqeanet dhe tokën”. Sipas Prof Ed Haëkins, nga Universiteti i Reading, MB, dhe një nga autorët e raportit, shkencëtarët nuk mund të jenë më të qartë në këtë pikë.

“Është një deklaratë fakti, ne nuk mund të jemi më të sigurt; është e qartë dhe e padiskutueshme që njerëzit po ngrohin planetin.”

Qoftë valët e të nxehtit si ato të përjetuara kohët e fundit në Greqi dhe Amerikën Veriore perëndimore, apo përmbytjet si ato në Gjermani dhe Kinë, “atribuimi i tyre ndaj ndikimit njerëzor është forcuar” gjatë dekadës së fundit. Kur bëhet fjalë për rritjen e nivelit të detit, shkencëtarët kanë modeluar një gamë të mundshme për nivele të ndryshme të emetimeve.

Në bazë të marrëveshjes klimatike të Parisit 2015, udhëheqësit botërorë u angazhuan të kufizojnë ngrohjen në 1.5 gradë Celsius.

I prodhuar nga Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPCC), raporti u jep udhëheqësve botërorë informacionin më të fundit të përditësuar në lidhje me nxitësit e ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga si dhe trendet më të fundit në shkencën atmosferike, oqeanike dhe sipërfaqësore të tokës.

Ky raport është kulmi i një vlerësimi maratonë pesëvjeçar, duke përditësuar parashikimet më të mira të shkencëtarëve për ngrohjen globale.

Pesë skenarë

Raporti përshkruan pesë skenarë të ndryshëm bazuar në atë se sa bota zvogëlon emetimet e karbonit:

1 .një e ardhme me shkurtime tepër të mëdha dhe të shpejta të ndotjes

2. shkurtime të ndotjes intensive, por jo masive

3. një skenar me emetime të moderuara

4. një skenar ku planet aktuale për të bërë reduktime të vogla të ndotjes vazhdojnë

5. një rritje e vazhdueshme e ndotjes së karbonit.

Sipas secilit skenar, thuhet në raport, bota do të kalojë kufirin e ngrohjes prej 1.5 gradë Celsius në vitet 2030, më herët se disa parashikime të së kaluarës. Në tre skenarë, bota gjithashtu ka të ngjarë të tejkalojë 2 gradë Celsius.