Moti i keq me stuhi të forta ka sjellë përmbytje në Velipojë, duke bërë që uji të vërshojë në bizneset e hotelet që janë ndërtuar pranë bregdetit.

Janë mbi 10 biznese që kanë prani uji në objektet të tyre. Rrezikshmëria do të jetë edhe më e madhe nëse moti do të vijojë të jetë i tillë në ditët në vazhdim. Raportohet se niveli i ujit në hotele dhe biznese aktualisht është rreth 30 cm.

Këto janë biznese që janë ndërtuar shumë pranë vijës bregdetare. Edhe vetë banorët kanë kërkuar që të evidentohet një problematikë e tillë me të cilën janë përballur ditën e sotme, nga frika se kjo mund të zgjasë. Pas përmbytjes, në hidrocentralin e Vaut të Dejës po shkarkohet uji, për të normalizuar situatën. Kujtojmë se edhe para 3 vitesh Shkodra është përmbytur për shkak të rritjes së nivelit të ujit.