Drejtuesit e automjeteve mbetën të bllokuar në Virxhinia për gati 20 orë gjatë natës dhe mëngjesin e sotëm (4 janar) në autostradën I-95, për shkak të stuhisë së madhe të borës.

Autostrada I-95 u mbyll në dyja anët në një gjatësi prej 86 kilometrash, sipas Departamentit të Transportit të Virxhinias.

Bllokimi i trafikut filloi dje pasi më shumë se 30 cm borë ra në disa pjesë të Shteteve të Bashkuara juglindore dhe bregdetit të Atlantikut, duke shkaktuar aksidente rrugore, njoftuan mediet lokale.

Paraliza e trafikut vazhdoi pasi temperaturat ranë nën zero gjatë natës.

“Kemi ngecur këtu për më shumë se 15 orë. Kemi qen dhe duhet të shkojmë në tualet. Përveç kësaj, po na mbaron karburanti. Nuk ka hotele të hapura në zonën përreth”, shkruan një shofer i bllokuar nga makina në Twitter.

Mes shoferëve të bllokuar ishte dhe senatori demokrat, Tim Kane, i cili e kaloi natën në makinën e tij rrugës për në Uashington.