Pas një periudhe festive të shënuar nga temperatura jashtëzakonisht të buta, Uashingtoni dhe rajoni më gjerë po përballen me një stuhi dimërore, me borën që ka çuar në mbylljen e shërbimeve shtetërore, shkollave, vonesave të autobusëve, duke shkaktuar probleme edhe në transportin ajror.

Shtëpia e Bardhë, ashtu si kupola e Kapitolit janë mbuluar nga dëbora. Reshjet e borës arritën të paktën 18 cm në kryeqytetin e SHBA-ve dhe mund të rriten deri në 25 cm , paralajmëruan shërbimet meteorologjike, duke vënë qytetin, si dhe shtetin fqinj të Virxhinias, në gatishmëri për një stuhi dimërore.

“Përgatituni për rrugë të mbuluara me borë dhe ngrica, të cilat do ta vështirësojnë trafikun”, shtoi ai në një raport meteorologjik.

Stuhia e dimrit, e cila përfshiu pjesën më të madhe të bregut lindor të Shteteve të Bashkuara, me erëra të forta që shoqërojnë reshjet e dendura të borës, mund të shkaktojë gjithashtu “stuhi bore” dhe “përmbytje” të mundshme, thanë ekspertët.

Ndërprerjet e energjisë

Të paktën 440,000 familje u zhytën në errësirë ​​në Virxhinia dhe 76,000 në Maryland fqinj, pasi pemët ranë në linjat e tensionit të lartë për shkak të peshës së borës.

Gjithashtu, autoriteti komunal urdhëroi pezullimin e shërbimeve të autobusëve, mbylljen e qendrave të testimit Covid-19 dhe pezullimin e shpërndarjes së testeve të shpejta.

Shumë shkolla u mbyllën sot, 3 janar, për shkak të borës në Uashington, DC, Maryland dhe Virxhinia.

“Nëse nuk është e nevojshme të dilni jashtë, qëndroni brenda dhe mos dilni në rrugë,” tha kryebashkiaku i Uashingtonit Muriel Bauser në një konferencë shtypi pasi shumë automjete ishin parkuar në dëborë.

Vetë presidenti Joe Biden u përball me mot të keq në kthimin e tij në kryeqytet pas një pushimi të shkurtër në Delaware (lindje).

Avioni Air Force One qëndroi në pistë për tridhjetë minuta për të lejuar stafin të pastronte borën, pas së cilës kolona presidenciale u detyrua të lëvizte me shpejtësi të ulët në rrugën e saj për në Shtëpinë e Bardhë.