Një stuhi e fuqishme ka mbërthyer pjesën veriore të Europës, duke shkaktuar të paktën 8 viktima në Gjermani e Holandë. Autoritetet janë detyruar të pezullojnë shërbimet e transportit, ndërkohë që paralajmërojnë qytetarët të shmangin daljen në të tilla kushte ekstreme. Stuhia ndërkaq po zhvendoset në Poloni. Të paktën 8 persona, përfshi këtu 2 zjarrfikës, kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve të shkaktuara nga stuhia e ashtuquajtur “Friederike”, e cila ka mbërthyer Europën veriore.

Një pjesë e viktimave humbën jetën për shkak të pemëve të rrëzuara dhe pluhurit të ngritur, ndërkohë një tjetër viktimë u shënua pasi makina e drejtuar prej tij, doli në anën tjetër të rrugës nga forca e erërave. Shpejtësia e tyre mbërriti deri në 140 km/h në Gjermani, duke detyruar operatorin e trenave Deutsche Bahn të anulonte të gjithë shërbimet në distanca të gjata, të paktën gjatë ditës së enjte. Shumë shërbime rajonale gjithashtu u anuluan.

Meteorologët në Gjermani, ku rreth 65.000 shtëpi kanë mbetur pa energji elektrike, paralajmërojnë banorët të shmangin daljen në kushte të tilla. I njëjti alarm është lëshuar edhe në Holandë. Stuhia “Friederike” ndërkaq ka kaluar tashmë kufirin për t’ju drejtuar Polonisë.