DËMTOHEN PULLAZE SHTËPISHË, PEMË DHE RRËSHQITJE DHEU. Një stuhi e fortë e shoqëruar edhe me erëra të forta ka përfshirë natën e kaluar pjesën më të madhe të qarkut Shkodër. Stuhia ka nisur në orët e mbrëmjes dhe ka zgjatur deri në orët e para të mëngjesit.

Si shkak i stuhisë, fillimisht për pak minuta pothuajse në të gjithë qytetin e Shkodrës u ndërpre energjia elektrike për tu rikthyer sërish. Nga sa mësohet zona të ndryshme të qarkut Shkodër kanë ndenjur për disa orë pa energji elektrike. Stuhia dhe erërat kanë shkaktuar disa dëme të konsiderueshme sidomos në banesa. Edhe kësaj radhe dëmet më të mëdha janë shkaktuar në pullazet e shtëpive. Po ashtu në disa pjesë të komunave ka patur rrëshqitje të dheut duke vështirësuar qarkullimin. Përveç fshatrave të ndryshëm dëme ka patur edhe në qytetin e Shkodrës. Dëmet e shkaktuara edhe në qytetin e Shkodrës janë të konsiderueshme. Ka patur xhama të ndërtesave të ndryshme që janë thyer, kryesisht të bizneseve. Po ashtu nga sa bëhet e ditur pemë të ndryshme në disa rrugë të qytetit janë dëmtuar e po ashtu edhe disa tabela sinjalizuese të cilat era i ka thyer. Kjo është hera e dytë që një ciklon i tillë përfshin qarkun e Shkodrës teksa edhe herën e parë u shkaktuan dëme të konsiderueshme. Gjatë ditës së sotme stuhia dhe erërat kanë ndaluar dhe situata është normalizuar.

[iframe width=”100%” height=”315″ src=”https://www.youtube.com/embed/dWE1MUXhkaI?rel=0″ frameborder=”0″ allowfullscreen ]