HAPËSIRAT PUBLIKE ME FLAMUJ TË PARTIVE PËRPARA NISJES ZYRTARE TË FUSHATËS. Asnjë prej tre subjekteve më të mëdha politike, Partia Demokratike, Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim nuk po respektojnë Kodin Zgjedhor në lidhje me vendosjen e materialeve propagandistike për zgjedhjet vendore të 21 qershorit. Në fakt fushata zyrtare nis me 22 maj por siç duket këto subjekte politike i kanë ndezur më përpara kësaj date motorët përsa i përket zhvillimit të fushatës elektorale. Në disa prej rrugëve kryesore të qytetit të Shkodrës kudo në mjedise publike janë të vendosur me dhjetra flamuj qoftë të PD të PS por edhe të LSI.

Para pak ditëve edhe Bashkia Shkodër përmes një njoftimi për shtyp kërkoi nga subjektet politike që të respektojnë Kodin Zgjedhor. “Bashkia Shkodër u bën me dije subjekteve zgjedhore të cilat garojnë në qytetin tonë që të respektojnë Kodin Zgjedhor në lidhje me vendosjen e materialeve propagandistike për zgjedhjet vendore të 21 qershorit duke kujtuar se fushata zyrtarisht nis me 22 maj”-thuhet në njoftimin për shtyp. Pavarësisht këtij reagimi të Bashkisë Shkodër edhe pse kanë kaluar disa ditë asgjë nuk ka ndryshuar e madje numri në këtë rast i flamujve në mjedise publike vetëm sa mund të jetë shtuar. Në njoftimin e Bashkisë Shkodër ora 24:00 e 13 majit ishte afati i fundit për heqjen vullnetare të të gjitha mjeteve propagandistike. Pavarësisht vendosjes së këtij afati situata nuk ka ndryshuar dhe flamujt e tre partive më të mëdha politike në Shkodër vijojnë të valëviten në hapësira publike duke mos respektuar ultimatumin e Bashkisë Shkodër. Tashmë duhet pritur se cili do të jetë reagimi i radhës i Bashkisë Shkodër në lidhje me mosrespektimin e afatit për heqjen e flamujve apo materialeve të tjera që janë vendosur përpara nisjes zyrtare të fushatës elektorale me 22 maj. Duke parë indiferencën e tre subjekteve politikë duhet pritur nëse Bashkia nga ana e saj do të vendosë për të ndëshkuar me ndonjë gjobë PS-në, PD-në dhe LSI-në apo do të mjaftohet vetëm me njoftimin për shtyp.

Artikulli paraprakASGJESOHEN 287 BIMË NARKOTIKE NË SHKODËR
Artikulli tjetërVOLTANA ADEMI, ME BANORËT NË SHTOJ TË RI DHE DOBRAÇ