KIMETE TAFILI NUK DO TË LEJOHET TË QËNDROJË MË NË AZIL.Suedia deporton drejt Shqipërisë Kimete Tafilin, nënën e Genci dhe Admir Tafilit. Lajmi konfirmohet nga burime të afërta të familjes Tafili në Suedi, të cilët shfaqin frikë dhe pasiguri për jetën e gruas së sapombërritur në vendin tonë.

Ndonëse e moshuara ka prekur pas disa ditësh tokën shqiptare, nuk dihet vendndodhja e saj, pasi sikurse theksojnë burimet, qëndron e fshehur nga frika e gjakmarrjes, një histori që zuri fill 14 vite më parë, kur në derën e banesës së tyre në Shkodër, u vra kolonel Arben Zylyftari. Të njëjtat burime thanë se Kimete Tafili u mbajt nën kujdestari për disa ditë me radhë, derisa u transferua për në Shqipëri të enjten e javës që po lëmë pas. Deportimi erdhi fill pasi Gjykata e Apelit vendosi të rrëzojë kërkesën e pjesëtarëve të familjes Tafili për të mos u deportuar drejt vendit tonë, ndërsa më herët, Bordi i Migracionit kishte refuzuar statusin e azilit. Vendndodhja e pjesëtarëve të kësaj familjeje, që ishin zhdukur prej disa vitesh nga Shqipëria, kur shtëpia e tyre në Shkodër u shkatërrua nga shpërthimi i një sasie të madhe tritoli, u zbulua në momentin kur në Boras, Suedi, u plagos nipi i Genci e Admir Tafilit, 12-vjeçar. Deri në ditën e fundit të dhjetorit 2013, askush nuk dinte për fatin e pjesëtarëve të kësaj familjeje. Aktualisht në Suedi ndodhet pjesa tjetër e familjes prej dhjetë anëtarësh. Konkretisht, gruaja dhe vajza e Genci Tafilit, ky i fundit i dënuar me 25 vite burg për pjesëmarrje në vrasjen e ish-drejtorit të Policisë së Shkodrës, Arben Zylyftari, gruaja dhe fëmijët e Admir Tafilit, si dhe familja e vëllait të tretë, i vetmi i papërfshirë në zinxhirin e krimeve të rënda të ndodhura në 14 vite. Familja këmbëngul se në vendin tonë është e rrezikuar nga gjakmarrja, ndaj përmes një avokati suedez ka vendosur t’i drejtohet gjykatës europiane për të drejtat e njeriut, duke kërkuar prej saj të ndalë fillimisht deportimin. Por, derisa kjo gjykatë të dalë me një vendim, në çdo moment, natyrisht nëse gjendet, familja Tafili rrezikon kthimin.