Policia ka zbardhur ngjarjen duke arrestuar dy autorët e sulmit me thikë ndaj trajnerit të Vllaznisë Ernest Gjoka 5 ditë më parë. Të arrestuar janë Nehat Fojleta 19 vjeç dhe Sehar Xhenje 21 vjeç, të dy banues në lagjen Kiras në Shkodër.

Sipas policisë, Nehat Fojleta ka kanosur dhe goditur trajnerin e ekipit të futbollit “Vllaznia”. Më pas ai është larguar me mjetin tip “Benz” me targa AA 282 KR ngjyrë të zezë. Drejtues mjeti ka qenë Sehar Xhenje i cili ka ndihmuar të largohen nga vendi i ngjarjes.

Sehar Xhenje është shoqëruar pasditen e djeshme në cilësinë e dëshmitarit, por më pas është vërtetuar se ka qenë bashkëpunëtor në ngjarje. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua mjeti që shërbeu për largimin e autorit të dyshuar pas sulmit.

Policia deklaron se në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë, po punohet për zbardhjen e motiveve dhe qëllimit të kësaj ngjarjeje. Ernest Gjoka u sulmua me thike por pa pesuar lendime në datë 22 shkurt, pasi tekniku po kthehej nga stërvitja e ekipit, ndërsa pas 5 ditësh autorët janë vendosur në pranga.

Nehat Fojleta e goditi trajnerin Gjoka me grusht dhe pas goditjes së fortë tekniku u rrëzua në tokë. Më pas agresori tentoi ta qëllonte edhe me thikë trajnerin e Vllaznisë, por Gjoka reagoi duke e shtyrë me këmbë dhe shmangu goditjen.

Në momentin e agresionit, Gjoka ishte në shoqërinë e kapitenit të Vllaznisë Gilman Lika.