Sulmi në universitetin e Ohios, ISIS: Ishte ushtari ynë

Grupi terrorist i të ashtuquajturit Shtet Islamik ka marrë përsipër përgjegjësinë e masakrës me një automjet dhe thikë të ndodhur ditën e hënë në një kolegj amerikan, nga ku mbetën 11 persona të plagosur. Sulmi në Universitetin shtetëror të Ohios u krye nga shtetasi i lindur në Somali, Abdul Razak Ali Artan, një student në kampusin e Columbusit, sipas asaj që thonë autoritetet. Agjencia e lajmeve të ISIS-it, “Amaq” e quajti 18-vjeçarin që studionte për biznes si një “ushtar” të tijin. Megjithatë, ende nuk është mundësuar një verifikim i paanshëm i pretendimit të ngritur nga grupi i militantëve xhihadistë. “Ekzekutori i sulmit në shtetin amerikan të Ohios ishte një ushtar i Shtetit Islamik. Ai e kreu operacionin në kundërpërgjigje të thirrjeve për të shënjestruar shtetas të vendeve të koalicionit ndërkombëtar që vepron në Irak dhe Siri”, thuhet në deklaratën e “Amaq”. Publikimi i tyre nuk bënte të ditur, gjithsesi, nëse sulmi ishte drejtuar nga jashtë, apo nëse Artani, i cili mbeti i vdekur gjatë sulmit, ishte radikalizuar në mënyrë autodidakte. Ai u qëllua për vdekje nga një oficer policie pranë kampusit, pasi po tentonte të drejtonte automjetin e tij drejt një grupi njerëzish, e më pas doli jashtë për t’i qëlluar ata me një thikë kasapësh, njoftoi policia. Së fundi, Artan kishte publikuar në “Facebook” një statusi në lidhje me trajtimin që u bënin amerikanët shtetasve myslimanë. “Amerikë! Jepini fund ndikimit nëpër vende të tjera, veçanërisht nëpër komunitetet myslimane. Ne nuk jemi të dobët. Mbajeni mend këtë, ne nuk jemi të dobët”, shkruante ai, sipas asaj që kanë konfirmuar zyrtarë të agjencive ligjzbatuese për mediet amerikane.