
Një incident i rëndë është regjistruar në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Reç, ku dy të paraburgosur, me inicialet A.Gj dhe F.D, kanë ushtruar dhunë ndaj një punonjësi të Policisë së Burgjeve, duke kundërshtuar me forcë autoritetin dhe duke shkaktuar dëme materiale në ambientet e institucionit.
Sipas burimeve zyrtare, reagimi i strukturave përgjegjëse ka qenë i menjëhershëm.
Drejtues të lartë të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë ndjekur nga afër menaxhimin e situatës, ndërsa forcat e sigurisë kanë ndërhyrë për të neutralizuar çdo rrezik të mundshëm.
Punonjësi i dëmtuar ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndaj dy të paraburgosurve janë marrë masa të menjëhershme disiplinore dhe ligjore.
Ata janë vendosur në regjim të veçantë izolimi për një periudhë 3-mujore, ndërkohë që ndaj tyre ka nisur procedimi penal për tre vepra penale, në bashkëpunim me Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve. Gjithashtu, është vendosur transferimi i tyre në një institucion të sigurisë së lartë.
Autoritetet kanë theksuar se çdo akt dhune ndaj punonjësve të sistemit penitenciar është i papranueshëm dhe do të ndëshkohet me forcën maksimale të ligjit, duke riafirmuar angazhimin për garantimin e rendit, sigurisë dhe mbrojtjen e integritetit të stafit në institucionet e vuajtjes së dënimit.
Në deklaratë theksohet se autoriteti i ligjit është i panegociueshëm.






