Nënkomisarja e policisë së Elbasanit Anisa Kostani, është pezulluar nga detyra, nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë.Ndaj polices së Elbasanit ka nisur hetimi administrativ nga Agjencia e Mbikqyrjes Policore, për shkelje etike.

REAGIMI I POLICISË

Me keqardhje ndoqëm reagimin aspak etik dhe profesional të një oficereje të Policisë së Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, e cila nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ka fyer gazetarët, me pretendimin se gazetarët po përbaltin punën e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan.

Përsa më sipër, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano ka pezulluar menjëherë nga detyra oficeren e Policisë, Nënkomisare Anisa Kostani dhe ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit për të nisur hetimin disiplinor ndaj kësaj oficereje, për shkelje të rëndë të Rregullores së Policisë së Shtetit, miratuar me VKM nr. 750 datë 16.09.2015, konkretisht të nenit 209, pika 1 “Shkelja e rëndë e atributeve/kompetencave të policisë pa ndonjë arsye bindëse, nuk i përmbush apo dështon në përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive të caktuara, të cilat kanë shkaktuar pasoja të rënda në kryerjen e detyrave”.

Sqarojmë opinionin publik se mendimet dhe opinionet personale të punonjësve të Policisë nuk përfaqësojnë në asnjë rrethanë, mendimet dhe opinionet e organizatës së Policisë së Shtetit, e cila ka një sektor të posaçëm, përmes të cilit komunikon zyrtarisht me median dhe publikun.

Policia e Shtetit është e bindur dhe e vendosur për të krijuar një marrëdhënie partneriteti dhe oponence me median, bazuar në respektin reciprok dhe në të vërtetën.

Policia e Shtetit falënderon gazetarët për punën e tyre në drejtim të informimit të publikut në lidhje me veprimtarinë e organizatës së Policisë së Shtetit dhe kërkon mirëkuptimin e tyre që raste sporadike të mos cënojnë marrëdhëniet korrekte mes gazetarëve dhe Policisë së Shtetit.

#partneritetPolicimedia🤝

Kjo lëvizje vjen pasi ditën e djeshme (18 Gusht 2022), policja në një postim që bëri në rrjetet sociale, ofendoi gazetarët për punën e tyre.

Kostani, që u bë e njohur në media për gjaprin që mbante si kafshë shtëpiake, duket se e ka marrë me shumë zell punën aq sa ka marrë përsipër tu kthehet me fjalor rruge gazetarëve dhe gazetareve që i prishin imazhin qytetit me “të pavërteta” sipas saj edhe pse aty “zien” krimi dhe kërcet arma netëve të nxehta dhe të ftohta, natën dhe ditën.

Artikulli paraprakKËRKOJNË RRITJE PAGASH, PUNËTORËT E RRJETIT TË TRANSPORTIT NË LONDËR DALIN SËRISH NË GREVË
Artikulli tjetërBERISHA REAGON ASHPËR PËR DHËNIEN E NËNSHTETËSISË PËR INVESTITORËT: KANAL I ZI PËR NARKOEUROT E TRAFIKANTËVE