Ish-kryetari i Gjykatës së Kasacionit, Zef Brozi ka reaguar pas deklaratave të forta të Presidentit Ilir Meta kundër ndërkombëtarëve. Ai thotë se vetëm një pushtetar i korruptuar dhe që i frikësohet reformës në drejtësi i shpall luftë Amerikës dhe Bashkimit Europian. Brozi i cilëson si të turpshme shantazhet ndaj ambasadorëve.

“Mirënjohje e falenderim Amerikës, Bashkimit Europian, OSBE dhe ambasadorëve në Shqipëri! Vetëm ai pushtetar i korruptuar dhe që i frikësohet reformës në drejtësi i shpall luftë Amerikës dhe Bashkimit Europian dhe guxon të shantazhojë në mënyrë burracake e të turpshme ndonjë ambasador a person publik të respektuar” thotë ai.

Në ditët e fundit pas ngërçit në Gjykatën Kushtetuese Presidenti Ilir Meta ka qenë tepër i ashpër me ndërkombëtarët, pasi disa prej ambasadorëve i ka cilësuar si palaço dhe të korruptuar që mbrojnë Edi Ramën. Departamenti i Shtetit reagoi duke thënë se është duke e vëzhguar situatën, ndërsa BE-ja i cilësoi sulmet si të papranueshme.