
Parashikimet ishin të sakta: demokratja Hillary Clinton dhe republikani Donald Trump fituan shumicën e shteteve në ditën më të madhe të garës për nominimin presidencial.
Alabama, Georgia, Tennessee dhe Virginia ishin mes shteteve, ku triumfuan që të dy. Trump u mposht nga Cruzi në Oklahoma dhe atje ku ishte parathënë që nuk mund të fitonte, në Teksas. Bernie Sanders mori 4 shtete, përfshirë atë që përfaqëson, Vermontin. Plot 11 shtete votuan të martën, në atë që është dita e votimeve më masive përpara Presidencialeve të 8 nëntorit. Ish-Sekretarja e Shtetit dhe manjati i pasurive të patundshme hynë në betejën e “super të martës” si favoritë për të rrëmbyer shumicën e shteteve, secili për partinë e vet. Në fjalimin e fitores, Clinton la të kuptohej se, tashmë e sheh veten duke luftuar për Presidencën me Trumpin. “Ka shumë gjëra në lojë në këto zgjedhje, – tha ajo. – Rreziku nuk ka qenë kurrë më i lartë, ndërsa retorika që dëgjojmë nga pala tjetër, kurrë më e ulët”. Manjati, nga ana e tij, këmbënguli ta përshkruante veten si një “bashkues”, që mund ta hedhë pas krahëve luftën brenda partisë republikane për t’u fokusuar te gara e përgjithshme. “Kur e gjithë kjo të ketë mbaruar, do të kem punë vetëm me një njeri, Hillary Clintonin”, tha ai. Miliarderi këmbënguli gjithashtu se e ka “zgjeruar partinë republikane”, duke iu referuar pjesëmarrjes së lartë në shtetet që kanë votuar tashmë. Senatori i Teksasit, Cruz u bëri thirrje rivalëve të lënë garën, me argumentin se kjo do ta ndihmojë për ta sfiduar në mënyrë më të efektshme kryesimin e Trumpit. Fakti që prej saj përcaktohen 25 për qind e delegatëve të nevojshëm për nominim, e bën “super të martën” ditën më të rëndësishme të paraprakeve amerikane.






