Laçi dërrmon Vllazninë. Laçianët kanë shënuar 5 gola kundrejt dy golave të kuqbluve në përballjen e kësaj jave të Superligës. Pas fitores në Vlorë Vllaznia bie shumë shpejt duke humbur me rezultat të thellë në Laç.

Vendasit e nisin me një gol të Markut në minutën e 17 pas një topi që merr nga krahu i djathtë i sulmit. I vetëm me portierin nuk e ka të vështirë të kalojë Laçin në avantazh. Vllaznia kërkon të ndryshojë rrjedhën por e pamundur. Laçianët realizojnë edhe golin e dytë. Këtë radhë është Deliu që realizon në minutën e 34.

Pas një topi që vallëzon në mbrojtjen shkodrane Deliu e çon në rrjetë. Shkodranët pjesën e dytë e nisin me idenë për ta kthyer disavantazhin e dy golave. Zogaj bën gjithçka brenda zonës së Laçit duke shënuar golin e parë për Vllazninë dhe duke ngushtuar 2-1 shifrat.

Kur u duk sikur u rikthye shpresa për një barazim Laçi sjell qetësinë duke shënuar golin e tretë. Është Iganjotiç që merr një krosim nga këndi dhe realizon me kokë duke çuar në 3-1 shifrat në minutën e 79.

Vllaznia nuk dorëzohet dhe është kapiteni Lika i cili surprizon portierin vendas me një super gol nga një goditje dënimi duke sjellë sërish shpresën për barazim me këtë gol të minutës së 83.

Një minutë më vonë vendasit tregojnë përsëri forcën e tyre me një tjetër gol që vjen nga goditja e këndit. Prenga kërcen mbi të tjerët në zonë dhe shënon golin e katërt për Laçin duke mbyllur praktikisht ndeshjen. Laçianët nuk mjaftohen me kaq sepse në minutën e 3 shtesë realizonë edhe golin e 5 dhe këtë herë është Rrapo që pas një ndeshje të mirë shpërblehet edhe me një gol.

Takimi mbyllet 5-2 për Laçin ndërsa Vllaznia merr një humbje pas largimit të trajnerit Mirsad Jonuz. Në ndeshjet e tjera Luftëtari humbi 0-5 me Tiranën kryesuese.

Bylis fitoi 1-0 me Teutën shkon në 39 pikë duke lënë Vllazninë në vendin e tetë me 38 pikëvend që të çon në ndeshjen e Play Out. Flamurtari humbi 0-1 me Skenderbeun ndërsa Partizani përfundimisht ka humbur çdo shans për titullin kampion sepse u mund 3-1 nga Kukësi i vendit të dytë.