DYSHIM PËR NDESHJEN FLAMURTARI-TEUTA, KRUJA NË VLORË. Kanë mjaftuar këto pamje për të rikthyer dyshimet për trukim në kampionatin shqiptar të futbollit.

Në qendër të akuzave është vendosur ndeshja Flamurtari-Teuta e mbyllur me fitoren e kuqezinjve 2-1. Minutat e fundit të ndeshjes kanë qenë të dhimbshme për një ekip që synon trofeun dhe një kampionat që ka për objektiv që të dalë nga harta e zezë e trukimeve. Teksa rezultati ishte në barazim 1-1, në minutat e fundit Teuta me pasivitetin e saj i lejoi Flamurtarit që të shënonte golin e fitores. Shehaj në minutën e 3 shtesë arrin që të dërgojë topin në rrjetë për kuqezinjtë, por ashtu sikur u duk qartë edhe nga pamjet, Teuta ishte pasive, pasi mbrojtja qëndroi statike, ndërsa portieri shoqëroi topin për një rrjetë me një hedhje që më shumë dukej false. Kjo fitore ka lëshuar akuza e kundër akuza qoftë nga tifozët vlonjatë por dhe drejtuesit e skuadrës që janë distancuar nga kjo ngjarje. Tashmë të gjitha dyshimet shkojnë për ekipin e Teutës ku lojtarët ishin shumë të gatshëm për të pësuar humbjen. Pas dyshimeve për trukim në ndeshjet miqësore të Skënderbeut e Kukësit, tashmë kategoria superiore mesa duke do të hyjë në hetim të plotë, kjo e mbështetur dhe nga Federata Shqiptare e Futbollit. Tashmë mbetet për t’u parë se çfarë do të behet pikërisht për këtë takim. Ndërkohë, mesfushori shkodran Arsid Kruja i cili u shit nga Vllaznia për tek ekipi El Hajer në Arabinë Saudite, do të luajë sërish në kampionatin Shqiptar. Futbollisti është huazuar drejt ekipit të Flamurtarit. Në fakt fillimisht, askush nuk e besoi por tashmë duket diçka e përfunduar. Star Plus ka kontaktuar dhe me futbollistin Kruja, i cili konfirmon se është në bisedime për të kaluar tek Flamurtarit, por pa të drejtë për tu prononcuar më me shumë detaje. Ndërkohë në Shkodër kjo shikohet si një lëvizje surprizë, pasi të gjithë priten që ai të luante jashtë Shqipërisë. Siç duket, Kruja nuk ka asnjë të drejtë veprimit, për faktin se ai tashmë ka nënshrkuar kontratën dhe do të duht të veprojë sipas udhëzimeve të drejtuesve të ekipit Arab.