Një sondazh rajonal i “Center for Politics and Polling” që ka fotografuar gjendjen elektorale në qarqet e Shkodrës dhe të Lezhës një javë para ditës së zgjedhjeve, sjell surpriza, të paktën për Shkodrën ku përplasja është më e madhe.

E reja e sondazhit të CPP është Bindja Demokratike e Astrit Patozit, e cila kuotohet në 4-7 përqind të votës totale duke i bërë të mundur kandidatit Tonin Uldedaj të jetë në Kuvendin e Shqipërisë.

Një rritje të lehtë në raport me 2017 shënon Partia Demokratike , ndërkohë që PS mbetet në të njëjtat kuota. Duke u bazuar në sondazhin e “Center for Politics and Polling”, Bindja Demokratike sjell një deputet në Kuvendin e ri, ndërkohë që Partia Demokratike dhe ajo Socialiste fitojnë respektivisht 5 dhe 4 mandate, pa ndryshuar gjë në raport me zgjedhjet 2017.

“E humbura” sipas këtij sondazhi me sa duket është Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila nuk fiton deputet në Shkodër.

Partia e Kryemadhit sipas sondazhit të CPP e ruan mandatin në Lezhë, ndërkohë që PD dhe PS mbajnë të njëjtat pozicione si në vitin 2017. “Center for Politics and Polling” sqaron se marzhi i gabimit të këtij sondazhi është 3 përqind dhe kampioni i sonduar është 1250 vetë, duke targetuar zona, gjini, mosha dhe prirje politike dhe fetare sa më përfaqësuese, bazuar në traditën më të mirë të kampionimit dhe metodologjinë e sondazheve të Këshillit të Europës.