Vijon numërimi i votave në mbarë vendin për kandidatët për deputetë. Në një raportim nga KQZ, mësohet se në Qarkun e Tiranës ka mundësi që disa kandidatë, majtas e djathtas, mund të thyejnë herësin.
Kështu, në kampin e majtë janë dy kandidatë, të cilët nga numërimi i deritanishëm i votave, kanë arritur të sigurojnë një numër të lart votash.

Bëhet fjalë për ish-ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj, që është pranë thyerjes së herësit, si dhe kandidati i 30 në listën e PS, Orlando Rakipi, një emër surprizë ky, që po grumbullon një numër të madh votash. Ndërkohë, nga kampi i djathtë kandidatët që mund të thyejnë herësin janë Agron Shehaj dhe Belind Këlliçi.

Surpriza ka edhe nga Qarku i Elbasanit, ku kandidati që është shumë afër thyerjes së herësit është Luçiano Boçi i PD, ku deri më tani ka grumbulluar 8569 vota. Siç raporton gazetarja Karapanço, Boçi mund të zëvendësojë në listë Eugen Isain, i renditur i pesti, pasi në vend të gjashtë është e renditur një grua.

Në Shkodër, Bardh Spahia ka shans të thyejë herësin, pasi ka siguruar aktualisht mbi 6 mijë vota, dhe që mund të zëvendësojë Zef Hilën.