UEFA surprizon.

Ndeshja Shqipëri-Izrael nuk do të luhet në Shkodër. Kjo sfidë është vendosur që të zhvillohet në stadiumin e Elbasanit për shkak se sipas UEFA-s nuk plotëson kushtet e vendosura. Vendimi është i beftë jo vetëm për tifozët, por edhe për vetë FSHF-në, ku kishte një bindje se stadiumi kishte kaluar testet e UEFA-s, ekspertët e së cilës vëzhguan terrenin dhe ambientet e tjera të stadiumit një ditë më parë. Në Shkodër ishte eksperti Richard Hyaden i cili është shprehur pozitivisht duke thënë se sfida mund të luhet në Shkodër por pas raportit të tij UEFA ka vendosur të kundërtën duke bërë që ndeshja e 12 nëntorit të luhet në “Elbasan Arena”. Ky vendim vjen jo vetëm për kushtet e fushës ku sipas drejtorit të terreneve në FSHF Pal Dajçi eksperti Hayden ka bërë të ditur se fusha nuk është në nivele moderne por mesatare. Gjithsesi, ky vendim nuk ka shpëqëndruar Kombëtaren, e cila nisi të hënën në Durrës përgatitjet për ndeshjen e 4-t në eliminatoret e Botërorit rus. Seanca e parë stërvitore për ndeshjen e së shtunës me Izraelin ishte kryesisht pa një ngarkesë të madhe fizike dhe me shumë lojë me top duke qenë se futbollistët kuqezi kanë patur vetëm pak orë më parë impenjime me klubet e tyre.