
Trajneri Sylvinho ka publikuar listën e futbollistëve të grumbulluar për dy ndeshjet e fundit kualifikuese të Kupës së Botës ndaj Andorrës dhe Anglisë. Tekniku kuqezi ka përzgjedhur 25-futbollistë. Lista nis me portierët Thomas Strakosha, Mario Dajsinani dhe Simon Simoni. Për mbrojtjen janë thirrur Elseid Hysaj, Berat Gjimshiti, Ardian Ismajli, Arlind Ajeti, Mario Mitaj, Ivan Balliu, Naser Aliji dhe Klisman Cake. Në mesfushë janë ftuar Ylber Ramadani, Qazim Laçi, Nedim Bajrami, Kristjan Asllani, Arbër Hoxha, Juljan Shehu, Medon Berisha dhe Adrion Pajaziti. Ndërkohë, në sulm janë thirrur Rey Manaj, Myrto Uzuni, Armando Broja, Jasir Asani, Mirlind Daku dhe Indrit Tuci. Në konferencën për media, trajneri Sylvinho sqaroi zgjedhjet e tij për këto dy sfida, si edhe foli për objektivat e Kombëtares.
“Për pak kohë bëhen tre vite që kam marrë drejtimin e Kombëtares dhe jemi në një moment shumë të bukur që në mbylljen e këtij viti për kualifikueset e Botërorit, jemi ende në lojë për play-offet e Botërorit. Kemi dy ndeshje shumë të rëndësishme përpara. Nuk është momenti ynë dhe nuk ka qenë më përpara që të marrim futbollistë që luajnë 100% me klubet e tyre. Nuk kemi mundësi të zgjedhim nga 70-80 futbollistë. Kemi diku te 40-45 futbollistë që i monitorojmë vazhdimisht. Ne kemi pasur edhe më parë futbollistë që i kemi grumbulluar edhe pse kanë qenë përtej listave të klubeve ku luajnë. Tani është momenti për të vlerësuar futbollistët që kam grumbulluar dhe për të punuar me ta. Dueli me Andorrën do të jetë një ndeshje e vështirë. Unë e rrespektoj shumë Andorrën si kundërshtar. Në ndeshjet e fundit kanë barazuar në miqësore dhe kanë humbur në shtëpi me Serbinë, por që i mbajtën në barazim për një pjesë. E pashë ndeshjen, ishte e vështirë dhe Andorra kishte mundësi të qarta për të barazuar me një kundërsulm. Do të jetë një ndeshje e vështirë, sepse janë një ekip që luajnë me zemër dhe shpirt. Mbrojnë shumë në 100% e tyre, por nuk dua të bëj llogari në këto momente. Kemi bërë një rrugëtim të mirë. Kemi një humbje me Anglinë dhe pres që të bëjmë një lojë të mirë, por e dimë që është një ndeshje e vështirë.”
Grumbullimi i Kombëtares do të nisë të hënën në Barcelonë, ku kuqezinjtë do të përgatiten për ndeshjen ndaj Andorrës, e cila do të luhet më 13-nëntor në orën 20:45. Sfida e fundit e kuqezinjve në këto kualifikuese do të zhvillohet më 16-nëntor, në stadiumin “Air Albania”, ndaj Anglisë, në orën 18:00.






