Tahiri:Punësohen 1200 të rinj për regjistrimin e shqiptarëve .Në letër jemi 4.5 mln shqiptarë

 

Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri ishte i pranishëm në ceremonine e mbajtur në Vlorë ku u lançua nisja e procesit të “Popullimit”. Ky proces konsiston në regjistrimin e popullsisë duke përfshirë informacione mbi vendbanimin sipas dokumentacionit dhe atij real që shpesh nuk përkojnë. Tahiri shprehet se është shumë e rëndësishme të dimë sa jemi dhe se ku banojmë. “Në kuriozitetin tuaj ne në letër jemi 4.5 milion shqiptarë, mbi 4.5 milion shqiptar. Por në Shqipëri ne nuk jemi kaq brenda kufijve. Sepse realiteti në letër, Shqipëria në letër nuk është Shqipëria në realitet. Sepse Shqipëria në regjistra nuk është Shqipëria e përditshme që njohim ne”, tha Tahiri. Ministri tha se brenda 10 ditëve të përfundojë procesi i rekrutimit të 1200 të rinjve të cilët në çdo cep të Shqipërisë do trokasin derë më derë dhe do bëjnë regjistrimin e çdo banese duke populluar nga njëra anë regjistrin civil dhe duke bashkuar regjistrin civil me atë të banesave, të adresave. Në aktivitet morën pjesë veç të zgjedhurve vendorë të këtij qarku, edhe ministri i Energjitikës Damian Gjiknuri, Drejtori i OSHEE Ardian Çela, Prefektja e Vlorës Etjona Hoxha dhe zyrtarë të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile.