Takimi i ministrave të Financave të Eurozonës, ka qenë zhgënjyes për pritshmëritë e Athinës.

Takimi, që përfundoi pas mesit të natës, nuk konkludoi në një marrëveshje, as për disbursimin e këstit të kredisë dhe as për lehtësimin e borxhit publik grek. Tashmë, marrja e vendimeve i është lënë takimit të radhës, që do të mbahet më 15 qershor. Gjithsesi, presidenti i Eurogrupit (vendeve anëtare të eurozonës), Jeroen Dijsselbloem, vuri në dukje “progresin kolosal” që ka shënuar Greqia. “Eurogrupi mirëpret zbatimin e masave dhe të reformave që janë dakorduar”, theksoi Dijsselbloem, duke folur në konferencën për shtyp. Ai përshëndeti edhe progresin e arritur në nivel politik për çështjen e borxhit grek.

“Jemi shumë afër një marrëveshjeje totale, por kjo nuk ishte e mundur sot”, shtoi shefi i eurozonës dhe vlerësoi se deri më 15 qershor do të jenë pjekur kushtet për arritjen e marrëveshjes. Progresin e arritur e përshëndeti edhe Klaus Regling, kreu i Mekanizmit Europian të Stabilitetit (ESM), që është dhe financuesi kryesor i programit të shpëtimit të Greqisë. Mirëpo Regling tërhoqi vëmendjen se nuk mbetet shumë kohë për marrëveshjen, pasi në korrik maturohen një sërë obligacionesh greke dhe Athina duhet t’i shlyejë patjetër ato. Prandaj ka aq shumë nevojë për këstin me vlerë 7,5 miliardë euro, që priste të çlirohej në takimin e djeshëm.

Ministri grek i financave, Euklidis Tsakalotos, deklaroi pas takimit se Greqia e ka bërë detyrën e vet dhe se tashmë ishte radha e FMN dhe e vendeve anëtare të eurozonës të konkludojnë në një kompromis për lehtësimin e borxhit grek. Megjithëse kjo temë zuri vendin më të madh në diskutime, u krijua ndjesia se nevojitet më shumë punë deri në arritjen e marrëveshjes, tha ministri grek. Tsakalotos shtoi se të gjitha palët konsiderojnë që gjuha e përbashkët është e mundur të gjendet brenda tri javëve të ardhshme, deri në takimin e radhës të Eurogrupit, më 15 qershor.

Artikulli paraprakSHBA THOTË SE KA VRARË 7 MILITANTË TË AL-KAIDËS NË JEMEN
Artikulli tjetërPËRBËRJA E KABINETIT ZEV – JA PROPOZIMET E KREUT TË LSDM PËR 6 MINISTRI, TË MARTËN TAKON AHMETIN