Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, është takuar këtë të diel në Bruksel me Sekretarin amerikan të shtetit, Anthony Blinken.

Rama e cilësoi këtë takim si miqësor, e nënvizoi se është nënshkruar marrëveshja për koordinimin e teknologjisë 5G, mes Shqipërisë dhe SHBA.

Ndër të tjera, Rama tha se duhen bërë përpjekje që kjo nismë të përqafohet edhe nga vendet e tjera të Rajonit, e shtoi se shpreson, që kjo të mos komprometohet nga aktorë të tretë.

“Është moment i rëndësishëm. Kemi ndërmarrë këtë nismë nga ana jonë, duke i kërkuar dhe të tjerëve, vendeve në Rajon, që të bëhen pjesë dhe të gjithë së bashku të bëjmë përpjekje për një korridor të sigurt komunikimi.

Ta vëmë këtë korridor shërbimesh në duart e institucioneve shqiptare dhe të mos lejomë që të komprometohet nga aktorë të tretë që ndonjëherë janë dashakeqës. Është krenari për Shqipërinë që të jetë krah jush dhe SHBA-ve, përherë. Faleminderit shumë për këtë dhe shpresoj që së bashku do i bindim miqtë të tjerë në Rajon”, theksoi Rama.

Artikulli paraprakSHKUAN PAS ORARIT ZYRTAR, MARK MARKU DHE AGRON GJEKMARKAJ MBETEN PA VOTUAR NË ZGJEDHJET PËR KRYETARIN E PD
Artikulli tjetërEUROPIANI I ‘MAKTHEVE’, TIFOZI BIE NGA TRIBUNA SAPO NISI NDESHJA ANGLI-KROACI, NË GJENDJE SERIOZE PËR JETËN