Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka ndarë disa nga momente të takimit të tij me farmacistë dhe pacientë. Basha shprehet se të gjithë flasin të shqetësuar për çmimet e papërballueshme për cilësinë e barnave dhe për mungesën e subvencionimit. Ai thekson se pacienti është në qendër të sistemit të ri shëndetësor në programin e PD.

Sipas kreut të PD, statusi i farmacistëve duhet mbrojtur dhe angazhimi i PD është i qartë në këtë drejtim.

“Pata kënaqësinë të bisedoja nga afër për programin tonë për shëndetësinë, me një grup profesionistësh nga Urdhëri i Farmacistëve të Shqipërisë dhe me disa pacientë. Të gjithë flasin të shqetësuar për çmimet e papërballueshme për cilësinë e barnave dhe për mungesën e subvencionimit për shumicën prej tyre.

U shpjegova qytetarëve se si ndryshimet ligjore e strukturore që kemi planifikuar, do të vënë pacientin në qendër të sistemit të ri shëndetësor sipas parimit “Paraja Ndjek Pacientin”. Do të ndalojmë rreptësisht hyrjen e medikamenteve të pasigurta dhe do të garantojmë që me kartën e pacientit, gjithkush të zgjedhë ku do të vizitohet, ku do të trajtohet dhe ku do të marrë ilaçet. Për çdo sëmundje, do të ketë një protokoll me ilaçet e dedikuara të rimbursueshme. Nuk do të ketë të përjashtuar nga sistemi ynë i kujdesit shëndetësor.

Profesionistët e Urdhrit te Farmacistit më njohën me punën e vështirë që po bëjnë këto kohë të vështira. Statusi i tyre duhet mbrojtur dhe angazhimi ynë është i qartë në këtë drejtim. Ne do ta shpëtojmë tregun nga mafia e ilaçeve dhe do të kthejmë konkurrencën dhe profesionalizmin në qendër të këtij sektori.

Më 25 prill, shqiptarët do të votojnë për t’i dhënë fund kontrollit mafioz të tregut të ilaçeve dhe për të kthyer sigurinë e medikamenteve. Me programin tonë për shëndetësinë, Shqipëria do të fitojë shëndetësinë dhe medikamente të standardeve europiane. Pacientët shqiptarë do të vihen në qendër të sistemit të kujdesit shëndetësor dhe fitojnë ilaçe të rimbursuara për çdo diagnozë. Më 25 prill, Shqipëria fiton dhe Rama humb”, shkruan kreu i PD.

Artikulli paraprakRRITET SIPËRFAQJA NËN UJË, BASHKIA KËRKON PËRSËRI SHPALLJE TË GJENDJES SË JASHTËZAKONSHME NË SHKODËR
Artikulli tjetërPD PROGRAM ME 11 PIKA PËR ARSIMIN, BASHA: TEKSTE SHKOLLORE FALAS, PROGRAM PAS SHKOLLOR ME USHQIM, KURSE FALAS PËR GJUHË TË HUAJ