
Kryetari i Bashkisë Shkodër në rrjetet sociale :
Më shumë siguri për qytetarët dhe për vizitorët që zgjedhin Shkodrën.
Në takimin me ministrin e Brendshëm, Ervin Demo, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, dhe përfaqësuesit e institucioneve vendore, kërkova forcimin e pranisë së Policisë në Theth dhe në Lumin e Shalës. Rritja e turizmit në këto zona duhet të shoqërohet me më shumë siguri dhe gatishmëri për t’iu përgjigjur nevojave të banorëve dhe vizitorëve.
Një tjetër kërkesë ishte zgjerimi i rrjetit të kamerave të sigurisë në qytet, për të ndihmuar në parandalimin e ngjarjeve dhe reagimin më të shpejtë të strukturave policore. Këto kërkesa gjetën mbështetjen e ministrit, duke i dhënë shtysë bashkëpunimit për realizimin e tyre.
Siguria kërkon komunikim të përditshëm, përgjegjësi të qarta dhe veprime të përbashkëta. Për Bashkinë Shkodër, ky bashkëpunim është thelbësor për një qytet më të sigurt dhe një destinacion turistik ku çdo vizitor ndihet i mirëpritur. 🇦🇱


