Takimi Rama-Basha, mësohen emrat e ministrave teknikë

Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Partisë Demokratike kanë zhvilluar një takim pasditen e sotme në mjediset e Pallatit të Kongreseve. Mësohet se ata diskutuan propozimet e PD për zv/kryeministrin dhe 6 ministrat teknikë, si edhe kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që kalojnë nesër për miratim në seancën e jashtëzakonshme të Parlamentit. Burime të Top Channel në PD kanë bërë të ditur se në postin e zëvendëskryeministrit është propozuar Ledina Mandia. Ministër të Financave PD ka propozuar Helga Vukaj. Ministër të Arsimit, Mirela Karabino; ministër i Brendshëm, Dritan Demiraj; ministër i Drejtësisë, Gazmend Bardhi; ministër i Shëndetësisë, Arben Beqiri; ministër i Mirëqenies Sociale, Xhulieta Kërtusha. Gjithashtu burime të Top Channel në PD bëjnë të ditur se Erinda Ballanca është kandidate për postin e Avokatit të Popullit dhe Klemend Zguri është kandidati për kreun e ri të KQZ. Por më parë, ato do të miratohen nga Kryeministri, siç edhe ka njoftuar Rama pas marrëveshjes me Bashën. Pas daljes nga takimi që zgjati rreth një orë, Kryeministri Rama dhe kreu i PD, Basha nuk dhanë deklaratë për mediat.