TAP-i merr miratimin final gati nisja e projektit të gazsjellësit

Gazsjellësi Trans Adriatik Pipeline (TAP) ka marrë miratimin përfundimtar për nisjen e punimeve edhe në Itali. Këshilli i Shtetit vendosi sot të hedhë poshtë rekursin e bërë nga rajoni i Pulias të cilët kishin ngritur pretendime se projekti ndot ambientin si dhe dëmton florën dhe faunën. Pas rrëzimit të rekursit nga pala italiane, punimet për gazsjellësin i cili nis nga Azerbajxhani, kalon në Turqi, Greqi dhe më pas në Shqipëri. Puna për zbatimin e projektit të TAP nisi katër vite më parë kur qeveria italiane miratoi lejen mjedisore për pjesën italiane të tubacionit, një procedurë kjo e firmosur nga të gjitha shtetet ku kalon projekti. Miratimi i kėsaj leje erdhi pas diskutimeve me komunitetet lokale, konsultimet publike dhe me autoritetet kombėtare dhe rajonale tė pėrfshira nė proces, ndërsa nuk munguan kontestimet nga përfaqësues të Shoqërisë Civile dhe ambientalistë. Tubacioni i gazsjellësit TAP do tė ketė njė kapacitet fillestar prej 10 miliardė metra kub nė vit. Pikënisja e projektit është Azerbajxhani nga ku gazsjellësi do të kalojë përmes Turqisë dhe Greqisë, ndërsa prek një pjesë të rëndësishme edhe të territorit shqiptar. Projekti TAP kalon në 3 qarqe në vendin tonë, 38 bashki e komuna nga Korça, Berati nė Fier dhe mund tė punësojė mbi 20 mijë punëtorë e specialistë. Punimet në territorin shqiptar kanë nisur prej disa muajsh për t’i dhënë jetë një prej projekteve më strategjike në fushën e gazifikimit të vendit.