
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar ndërprerjen e menjëhershme të bisedimeve tregtare me Kanadanë, në përgjigje të vendosjes nga kjo e fundit të një takse mbi shërbimet dixhitale që prek drejtpërdrejt kompanitë amerikane të teknologjisë. Në një postim në platformën e tij Truth Social të premten, Trump e cilësoi taksën e re kanadeze si një “sulm të drejtpërdrejtë dhe të hapur ndaj vendit tonë”, duke theksuar se kjo masë është e papranueshme për Shtetet e Bashkuara.
“Bazuar në këtë taksë të shëmtuar, ne po i ndërpresim TË GJITHA diskutimet mbi Tregtinë me Kanadanë, me efekt të menjëhershëm,” – shkroi presidenti Trump.
Ai shtoi se SHBA-të do ta njoftojnë Kanadanë për një tarifë të re që do të aplikohet ndaj kompanive kanadeze që operojnë në tregun amerikan, brenda shtatë ditëve të ardhshme. Taksat mbi shërbimet dixhitale janë kthyer në një pikë të nxehtë në marrëdhëniet ekonomike mes vendeve të G7-ës, pasi disa shtete – përfshirë Francën, Mbretërinë e Bashkuar dhe së fundmi Kanadanë kanë miratuar masa të ngjashme për të taksuar gjigantët globalë të teknologjisë. Sipas qeverisë kanadeze, taksa synon të krijojë një sistem më të drejtë tatimor, ku kompanitë dixhitale që operojnë në tregun kanadez të kontribuojnë në ekonominë vendase. Megjithatë, SHBA-të e shohin këtë si një veprim që diskriminon kompanitë amerikane si Google, Amazon, Meta dhe të tjera.