Qeveria ka krijuar një taks forcë për monitorimin e veprimtarisë së administratës gjatë fushatës zgjedhore.

Në një vendim të publikuar në faqen e Kryeministrisë, thuhet se Taksa Forca në fjalë krijohet me qëllim nxitjen e paanshmërisë dhe trajtimit të barabartë të kandidatëve e partive politike në marrëdhëniet me administratën shtetërore dhe burimet e saj, për krijimin e kushteve të drejta e të barabarta për të gjithë kandidatët dhe partitë politike në procesin elektoral, si dhe për mospërdorimin e fondeve dhe burimeve publike për qëllime partiake.

“Punonjësit të administratës shtetërore, gjatë periudhës së procesit zgjedhor, i krijohen kushtet e nevojshme dhe i garantohet moscenimi i të drejtave dhe lirive themelore, kushtetuese, për të shprehur fjalën e lirë dhe për të marrë pjesë në veprimtari politike, brenda kufizimeve dhe ndalimeve, të përcaktuara me dispozita të veçanta të legjislacionit në fuqi, që rregullojnë dhe janë të vlefshme gjatë këtij procesi zgjedhor”, thuhet në pikën 3 të vendimit. Ndërsa në pikën vijuese, jashtë orarit zyrtar të punës dhe jashtë mjediseve të institucioneve shtetërore, punonjësit kanë të drejtë të marrin pjesë në veprimtari politike apo zgjedhore të një partie politike ose kandidati në zgjedhje.

Pjesëmarrja në fushatë u ndalohet edhe punonjësve të Gardës së Republikës, punonjësve të Shërbimit Informativ Shtetëror, sigurisht Forcave të Armatosura si dhe strukturat e policisë së Shtetit. Ndërkohë, strukturat e Policisë së Shtetit, kur konstatojnë përdorimin e automjeteve shtetërore të institucioneve të pushtetit qendror e vendor për veprimtari të fushatës zgjedhore, të bëjnë bllokimin e tyre dhe, menjëherë, të njoftojnë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe titullarin e institucionit në përdorim të të cilit është automjeti.

Për koordinimin e procesit të monitorimit sipas këtij vendimi, krijohet Task – Forca që drejtohet nga Zëvendëskryeministri dhe ka në përbërje:

– Ministrin e Punëve të Brendshme;

– Ministrin e Mbrojtjes;

– Ministrin e Financave;

– Ministrin e Arsimit dhe Sportit;

– Ministrin e Drejtësisë;

– Ministrin e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin;

– Ministrin e Shtetit për Çështjet Vendore;

– Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave;

– Drejtorin e Departamentit të Administratës Publike;

– Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit;

– Drejtorin e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave, në Ministrinë e Financave.

Në mbledhjet e Task-Forcës ftohen të marrin pjesë:

– Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil;

– Avokati i Popullit;

– Një përfaqësues nga Prokuroria e Përgjithshme;

– Një përfaqësues nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.