Policia e Shtetit ka publikuar emrat e tre personave të radhës, të shpallur në kërkim për vepra të rënda penale. Të tre këta persona rezultojnë me rrezikshmëri të lartë shoqërore, pasi janë dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje.

Mes tyre është edhe shtetasi Barjam Boci, pjesë e bandës së Lazaratit, që hapi zjarr ndaj policisë, duke vrarë efektivin e RENEA-s, Irahim Basha, dhe plagosur dy të tjerë.

3 personat e radhës, objekt i punës së Njësisë së Kërkimit

I dënuari me burg përjetë Barjam Boci

foto galeri

Në datën 24 qershor 2015, në fshatin Lazarat, Gjirokastër, gjatë një operacioni policor është vrarë me armë zjarri punonjësi i Policisë së Shtetit I. B., si dhe janë plagosur punonjësit J. I. dhe P. H.

Shtetasi Barjam Boci ka qenë pjesë e grupit që ka qëlluar në drejtim të Policisë.

Barjam Boci është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Krimeve të Rënda Tiranë, për veprat penale “Vrasja me dashje në rrethana cilësuese” dhe “Grup i strukturuar kriminal”.

I dënuari me burg përjetë Alban Baftjari.

foto galeri

Në datën 7 mars 2001, në fshatin Shetel, Shijak, Durrës, shtetasi Alban Baftjari, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka shkuar në orët e vona të mbrëmjes, në banesën e shtetasit Xh. B., për të vjedhur dhe ka plagosur rëndë shtetaset Sh. B., S. B. dhe shtetasin Xh. B., i cili për pasojë ka gjetur vdekjen.

Alban Baftjari është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Vjedhja me pasojë vdekjen, në bashkëpunim” dhe “Armëmbajtja pa leje”.

I dënuari me burg përjetë Jashar Begani (Begami).

foto galeri
Në datën 21 korrik 1997, në zonën e stadiumit “Qemal Stafa” në Tiranë, shtetasi Jashar Begani (Begami) ka vrarë shtetaset A. L. (B.) dhe Z. K. Jashar Begani (Begami) është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Armëmbajtja pa leje”.